Rama: Jo më kontrolle rutinë pa paralajmërim për bizneset, gjoba masa e fundit
Nuk do të ketë më kontrolle rutinë të bizneseve pa paralajmërim.
Kontrollet e inspektorateve ndaj bizneseve do t'i nënshtrohen një modeli të ri të quajtur “Testi i Besës”, që parashikon paralajmërimin për kontrollet rutinë, përdorimin e gjobës vetëm si masë të fundit dhe pajisjen e inspektorëve me kamera inteligjente trupi dhe uniforma.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk duhet të ketë më kontrolle rutinë të paparalajmëruara ndaj bizneseve. Sipas tij, qëllimi i inspektimit duhet të jetë korrigjimi i problematikave dhe përmbushja e standardeve dhe jo kapja e subjekteve në shkelje.
“Inspektori nuk vjen te dera e biznesit në një skenë krimi, por si shteti që njofton, të mbikëqyr dhe të ndihmon të korrigjohesh. Qëllimi ynë nuk është të kapim subjektet në gabime, por t'i ndihmojmë të përmirësohen në zbatimin e ligjit dhe përmbushjen e standardeve që janë interesi ynë i përbashkët”, tha Rama.
Gjoba vetëm si masë e fundit
Një tjetër ndryshim lidhet me mënyrën e vendosjes së masave administrative. Kryeministri deklaroi se gjoba ndaj një biznesi duhet të jetë masa e fundit dhe jo reagimi i parë i inspektorit.
“Gjoba mbi një biznes është arma e fundit, jo e para, kurrë një shpatë shantazhi mbi qafën e sipërmarrësit për të gjetur pastaj një mënyrë tjetër për të shmangur gjobën”, tha Rama, duke shtuar se “kush nxjerr gjobën para fjalës së mirë, nuk po e mbron shtetin, po e turpëron atë”.
Bizneset do të kenë gjithashtu të drejtën të denoncojnë drejtpërdrejt pranë Inspektorit të Përgjithshëm rastet kur një inspektorat paraqitet pa paralajmërim për një kontroll rutinë. Sipas Ramës, një raportim i tillë nuk duhet të konsiderohet ankesë, por një e drejtë e subjektit të kontrolluar.
Inspektorët me kamera trupi dhe uniforma
Ndryshimet e paralajmëruara përfshijnë edhe pajisjen e inspektorëve me kamera inteligjente trupi dhe uniforma. Sipas Kryeministrit, çdo inspektor që paraqitet pranë një tatimpaguesi në emër të shtetit do të duhet të jetë i identifikueshëm dhe i monitoruar gjatë ushtrimit të detyrës.
“Së shpejti çdo inspektor që troket në emër të shtetit te dera e një tatimpaguesi të kësaj republike do të jetë i pajisur me kamera inteligjente të trupit dhe i veshur me uniformë, që ta dish kush është, kë përfaqëson dhe që ta dijë edhe ai se në çdo minutë të punës së tij është i mbikëqyrur nga Inspektorati i Përgjithshëm”, deklaroi Rama.
Sipas tij, modeli i ri synon të ndryshojë marrëdhënien mes administratës inspektuese dhe sipërmarrjes, duke vendosur në fokus paralajmërimin, korrigjimin e shkeljeve dhe mbikëqyrjen e vetë inspektorëve.